image 51-vjeçarja nga Prizreni e denoncon burrin për dhunë në familje - i lëshohet urdhër mbrojtje

Siguri

51-vjeçarja nga Prizreni e denoncon burrin për dhunë në familje – i lëshohet urdhër mbrojtje

news image

Dhjetëra raste të dhunës në familje raportohen çdo ditë në Policinë e Kosovës, ku viktima janë kryesisht gratë që e pësojnë nga bashkëshortët. Ato shpesh kanë frikë t’i denoncojnë rastet për shkak të presionit nga familjet, raporton Gazeta Sinjali.

Ndër vendet ku po raportohen goxha shumë raste të dhunës në familje është edhe rajoni i Prizrenit. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në një familje në rrugën “Tamil Shala”.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 51-vjeçare, e cila sot në orët e mëngjesit e ka denoncuar në Polici bashkëshortin, për dhunën që ka ushtruar ndaj saj.

Bazuar në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë, i dyshuari S.Sh., i bën presion dhe ushtron dhunë psikike në vazhdimësi, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë me njëri-tjetrin.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të kërkojë ndihmën e Policisë dhe si rezultat i denoncimit, njësitet policore janë aktvizuar për ta kapur, por i dyshuari është dorëzuar vet në stacion policor.

I njëjti është intervistuar në lidhje me veprën për të cilën dyshohet dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ndaj tij për veprën penale “Dhunë në familje” dhe ndaj viktimës është lëshuar urdhër për mbrojetjen e përkohshme emergjente.

Ndryshe, një urdhër i tillë lëshohet nga Policia kur ka të bëjë me raste që ndodhin jashtë orarit të punës së gjykatave.

/GazetaSinjali/