image 45 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në Francë në dekadën e fundit, fluksi më i lartë në 2016-2018

Rajon

Azilkërkimi/ 45 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në Francë në dekadën e fundit, fluksi më i lartë në 2016-2018

news image

Në aeroportin e Rinasit janë mbledhur familjarë të azilantëve që po depërtohen nga Franca.

Kërkesa e tyre, kryesisht për azil ekonomik, është refuzuar për të disatën herë dhe autoritet kanë vendosur deportimin e tyre drejt Shqipërisë.

Pritja e familjarëve zgjati për disa orë, edhe pse mbërritja e tyre ishte njoftuar në orën 14:00 gjatë ditës së djeshme, pasi të deportuarit i dërguan për të dhënë edhe deklaratën e tyre në rajon.

Në mesin e të deportuarve ishin edhe një familje e re nga Veriu i Shqipërisë, një çift i ri, së bashku me vajzën e mitur jo më shumë se 5 vjeç. Gruaja dukej e vendosur për të mos u kthyer më, por tha se i shoqi kishte gjetur tashmë punë dhe do të provonte sërish të rikthehej në Francë. Për t’u aprovuar kërkesa për azil ekonomik ishte thuajse e pamundur.

Franca po e refuzon hapjen e negociatave për Shqipërinë, nën argumentin se shqiptarët renditen të parët për sa i përket numrit të azilkërkueseve.

Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2018 numëroheshin 9,655 azilkërkues nga Shqipëria në Francë, duke u renditur kështu nacionaliteti i dytë më i madh, pas afganëve.

Numri azilkërkuesve nga Afganistani, i cili nuk konsiderohet një vend i sigurt, sikurse është Shqipëria, ishte 10,340 me një diferencë shumë të ulët me Shqipërinë.

Në 2017-n, shqiptarët renditeshin të parët në Francë si azilkërkues me 12,130 aplikime, duke shënuar rekord aplikimesh, që prej të dhënave të para historike që ka Eurostat mbi azilkërkuesit.

Që prej 2008-s në Francë kanë aplikuar për azil mbi 45 mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e aplikimeve janë përqendruar gjatë 3 viteve të fundit, me 29,290 aplikime, sa 65% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit.

Trendi gjatë shtatë muajve të parë të 2019-s ka qenë sërish në rritje, me një mesatare prej 834 aplikime në muaj. Nga janari deri në korrik numëroheshin në total 5,835 aplikime nga shqiptarët në Francë, 25% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në 6 muajt e parë të vitit janë larguar mesatarisht për çdo 100 mijë banorë 55 shqiptarë. Ky është numri më i lartë krahasuar me vendet që në vlerë absolute renditen të parët për kërkesat për azil, por sigurisht të parët edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.