Katër persona të dyshuar i kanë shkuar një personi afër shtëpisë në rrugën “Kuvendi i Lezhës” në Mitrovicë dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet brenda prokurorisë se ai kishte qenë në afërsi të shtëpisë, kur para tij kanë ndaluar dy vetura, brenda të cilave ndodheshin katër persona.
Të dyshuarit kanë dalë jashtë veturave dhe me armë zjarri kanë shtënë në drejtim të ankuesit.
Ai ka hyrë brenda shtëpisë dhe e ka njoftuar babin e tij, i cili ka dalë para shtëpisë me një revole.
Sinjali merr vesh se policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja dhe ka arrestuar një të dyshuar (babain e ankuesit), për shkak se revolja e tij ka qenë pa leje.
Mirëpo, pas intervistimit, prokurori ka urdhëruar që ai të lirohet në procedurë të rregullt, derisa vijojnë hetimet për zbardhjen e këtij rasti./Gazeta Sinjali/