Hyrjet e hajnave me forcë brenda shtëpive private, banesave, institucioneve financiare e bizneseve të ndryshme, po u shkaktojnë humbje e pasiguri të mëdha qytetarëve të vendit. Të dyshuarit shpesh arrijnë që të ikin pa lënë gjurmë, por ka edhe nga ata të cilët zbulohen shpejt nga organet e hetuesisë, raporton Gazeta Sinjali.
Cak i vjedhjeve së fundi ka qenë edhe një hotel në rrugën ‘Selmon Lajqi’ në qytetin e Pejës, ku një mysafir që ishte akomoduar aty, ‘shfrytëzoi’ rastin që tinëzisht të marrë disa para të gatshme.
Sinjali mëson se 36-vjeçari dyshohet se me anë të forcës ka thyer një arkë e cila ndodhej në recepsionin e hotelit, e ku brenda saj ishin rreth 200 euro para të gatshme. Këtë veprim ai dyshohet se e kreu në momentin që pa se në hotel nuk ndodhej askush.
Pas veprimeve hetimore, i njëjti është identifikuar dhe dyshohet se ka kryer edhe dy vjedhje tjera në qytetin e Pejës. I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.