image 31 nënoficerë të FSK-së kalojnë në gradën e oficerit

Siguri

31 nënoficerë të FSK-së kalojnë në gradën e oficerit

news image

Sot, në ambientet e kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës  “Adem Jashari” në Prishtinë, pas përfundimit të Kursit Bazik të Oficerit, u mbajt ceremonia e certifikimit e 31 oficerëve të rinj.

Ministri i Mbrojtjes  Armend Mehaj, me fjalim e tij drejtuar oficerëve të rinj, ndër të tjera tha se këta janë shtylla e ndërtimit të FSK-së.

”Si oficer të diplomuar, ju tashmë keni përvetësuar themelet e udhëheqjes duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do udhëhiqni.  Ju tani keni atë që duhet për të udhëhequr dhe për të ndërtuar besimin në ekipin tuaj si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit. Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqëroj etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit. Dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë! Në vazhdimësi po e dëshmojmë!”, tha Mehaj.

“Certifikimi i kandidatëve, vjen pas 4 muajve trajnim mjaft sfidues pranë Shkollës së Oficerëve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Ky kurs u realizua për herë të parë dhe përgatiti 31 nënoficerë, që nga sot do të vazhdojnë karrierën e tyre ushtarake si oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kursi Bazik për Oficer përbëhej nga tri faza, në të cilat kandidatët u testuan në module të ndryshme, teorike dhe praktike, ku secila fazë u përmbyll me realizimin e ushtrimeve fushore.

31 nënoficerët e FSK-së para komandantit të Shkollës së Oficerëve dhanë betimin për të shërbyer atdheut më nder dhe dinjitet në gradën e oficerit pranë Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

/GazetaSinjali/