image 28-vjeçari që u prezantua si hoxhë dyshohet se e zhveshi dhe e sulmoi seksualisht vajzën para syve të nënës së saj

Siguri

28-vjeçari që u prezantua si hoxhë dyshohet se e zhveshi dhe e sulmoi seksualisht vajzën para syve të nënës së saj

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur dje hetimet ndaj 28-vjeçarit me inicialet R.S., (emër i njohur për redaksinë), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhunim”.

Sipas prokurorisë, ai ishte paraqitur si person që këndon Kuran (Rukexhi) për shërimin e sëmundjeve të ndryshme.

Pse kishte shkuar vajza me nënën e saj në banesën e të dyshuarit?

Në fillim të muajit maj të vitit 2021, viktima (emër i njohur për redaksinë) dhe nëna e saj kishin shkuar në banesën e tij në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë-Kosovë, me qëllim të shërimit.

Në aktvendimin e prokurorisë për nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit, të siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se R.S., ishte prezantuar para vajzës dhe nënës së saj si hoxhë dhe u kishte thënë se ai mund t’ia largonte asaj disa probleme, për të cilat mjekët nuk i kishin gjetur ilaç.

Vajza u zhvesh dhe u sulmua seksualisht në sytë e nënës

28-vjeçari dyshohet se e kishte dërguar vajzën në dhomën e tij dhe në prezencën e nënës së saj e kishte zhveshur në pjesën e poshtme dhe ia kishte futur gishtërinjtë në organin gjenital.

Më pas, ai i ka kërkuar të ëmës së vajzës që të largohet nga dhoma dhe posa ajo kishte dalë, ai dyshohet se e ka zhveshur krejtësisht dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj.

Kështu, prokuroria pretendon se R.S., ka kryer veprën penale “Dhunim” dhe ka urdhëruar që të nisin hetimet për të.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/