Katër të dyshuar për ngjarjen që terrorizoi Prizrenin mbrëmjen e së hënës, tashmë janë nën pranga. I arrestuari i katërt, Adnan Arifovic u kap sot nga Policia, derisa Leotrim Latifi, Ibrahim Qadraku dhe Ruzhdi Fejzullahu, të dyshuar për tentim grabitjen dhe plagosjen e pronarëve të argjendarisë gjenden në paraburgim.
Latifi dhe Qadraku me ndihmën e Arifovic, dyshohet që tentuan të grabisnin argjendarinë në Prizren, ku lanë të plagosur dy pronarët e saj, babë e bir. I arrestuari tjetër Ruzhdi Fejzullahu që dyshohet për ndihmë në grabitje, sipas burimeve të Sinjalit ua ka shitur veturën me të cilën ata shkuan deri të argjendaria ku ndodhi ngjarja dramatike.
Sinjali mëson nga burimet brenda Prokurorisë se i arrestuari i katërt, që u kap gjatë një bastisje të Policisë, Adnan Arifovic është fqinj me të dyshuarin Leotrim Latifi. Të njëjtit i ndanë vetëm një rrugë, në lagjen ku jetojnë.
Leotrim Latifi, Ibrahim Qadraku janë dërguar në paraburgim si të dyshuar se kanë kryer këto vepra penale:
grabitja në tentativë,
shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm,
mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve ,
grabitja,
sulmi ndaj personit zyrtar,
shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe
asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Ndërsa Ruzhdi Fejzullahut i është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale ndihma në grabitje.
Tre të dyshuarit që terrorizuan Prizrenin, në momentet e tentim grabitjes ikën me një veturë të zezë, e cila më pas u gjet e djegur. Për të mos mbaruar me kaq, të njëjtit grabitën një veturë të tipit Polo, të cilën po ashtu e dogjën, të hënën në mbrëmje.
Pasi tentuan t’i “zhdukin” gjurmët duke djegur veturën e parë, të dyshuarit grabitën një veturë tjetër, të cilën po ashtu e dogjën, por që fillimisht me të shkuan deri te pompa e derivateve “OK” në fshatin Korishë, ku u furnizuan me karburant. Më pas, ajo veturë u gjet e djegur në Mugë të Skenderajt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/