Kryetari i Komunës së Gjilani, Lutfi Haziri, ka njoftuar se nga 51 rastet sa kanë qenë të konfirmuara deri tani në këtë komunë, 23 prej tyre janë shëruar tërësisht, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga koronavirusi në Gjilan kanë vdekur dy persona, tre të tjerë janë të hospitalizuar, kurse 23 të tjerë janë vetizoluar në shtëpitë e tyre.
Kështu bëri të ditur Haziri, pas takimit me Komitetin e Emergjencave në Gjilan.
“Nga takimi i sotëm është konfirmuar gjendje e qetë dhe pa raste të reja. Kemi konstatuar se nga 51 raste të infektuara, tashmë 23 janë të shëruar plotësisht. Dy të vdekur, tri raste janë të hospitalizuar dhe 23 raste janë në vetizolim. Gjatë ditës së sotme do të bëhen teste dhe urojmë që edhe këto të rezultojnë negative, sikur që këtyre ditëve kishim numër të madh të testeve negative”, ka thënë Haziri.
Ai deklaroi se 15 rastet e fundit që i kishte Gjilani janë si pasojë e mospërfilljes së vendimeve të shtetit dhe rekomandimeve të ISHKP-së për masat mbrojtëse.
Kryetari Haziri ka bërë të ditur punën e vazhdueshme që është duke u bërë për dëmet në sektorin e ekonomisë, konkretisht në bujqësi dhe sektorin privat gjatë përballjes me pandeminë.
Ndërkohë, duke folur për pakot sociale për familjet në nevojë, kreu i Gjilanit ka falënderuar donatorët për shpirtin e madh të solidaritetit në përballimin e kësaj pandemie./Gazeta Sinjali/