image 22 vjet nga masakra në Krushë të Madhe dhe familjes Berisha në Suharekë

Kosovë

22 vjet nga masakra në Krushë të Madhe dhe familjes Berisha në Suharekë

news image

Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

22 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës.

Për kriminelët serbë masakra ishte diçka e zakontë, diçka që sipas tyre duhej të ndodhej vetëm me qëllimin të eliminimit të popullsisë shqiptare në Kosovë.

Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Ndërkohë, 22 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të edhe rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, do të shfaqeshin paramilitarët serbë, që disa do t’i vrisnin në pragun e shtëpisë e të tjerët do t’i dëbonin nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin kafiteri, ku edhe do të ndodhte masakra.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

Këta të tre gjatë transportit të viktimave drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në kamion kishte edhe të tjerë që ishin gjallë, por të plagosur. Për të nderuar këtë familje gjatë ditës do të bëhen homazhe te Lapidari i Martirëve në Suharekë./Gazeta Sinjali/