Ceremonia e betimit të 180 rekrutëve të rinj u mbajt sot në Kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj.
Në mesin e rekrutëve të rinj, sot u betuan edhe 12 femra.
Komandantja e KDS-së, gjeneral brigade, Irfete Spahiu, në fjalimin e saj theksoi se kjo gjeneratë e rekrutëve është një nga gjeneratat me rezultatet më të mira që ka pasur KDS dhe se ka vendosur një standard të ri të performancës.
Prezent në këtë ceremoni ishin presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë.
Me këtë rast, Osmani u shpreh se, si komandante supreme e FSK-së është krenare që po e sheh çdo ditë përparimin e FSK-së.
Ajo u shpreh e kënaqur me prezencën e vajzave dhe grave në mesin e rekrutëve të rinj.
“Jam krenare që në mesin e rekrutëve shoh 12 gra. Hapja e FSK-së ndaj vajzave dhe grave nuk është nevojë por edhe domosdoshmëri”, theksoi ajo.
Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Albin Kurti, iu drejtua rekrutëve të rinj duke u thënë se:
“Duke qenë pjesë e FSK-së, përveç privilegjit, tash e tutje do t’i shërbeni institucionit më të besueshëm në vend. Ju keni nderin t’i shërbeni vendit tuaj përkrah aleatëve, ushtarëve të NATO-s, në shërbim të paqes dhe sigurisë globale”, theksoi Kurti.
Më tej, kryeministri Kurti theksoi se qeveria e udhëhequr nga ai është e përkushtuar për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorin e Republikës së Kosovës.