image 18 rastet e fundit në Ferizaj u infektuan nga personi që vdiq nga koronavirusi në këtë komunë

Kosovë

18 rastet e fundit në Ferizaj u infektuan nga personi që vdiq nga koronavirusi në këtë komunë

news image

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka konfirmuar 18 raste me koronavirus në Ferizaj.

Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka thënë se të gjitha këto raste u infektuan nga një person i vetëm, tashmë i ndjerë, i cili nuk kishte simptome të koronavirusit.

“Ai nuk ka qenë me simptome që kanë manifestuar me infeksion të Covid-19, por ka paraqitur  simptome krejtësisht tjera, ato kardiake, dhe pas dërgimit në Prishtinë dhe pas vdekjes së tij, është konstatuar se ishte me koronavirus”, ka thënë Aliu.

Ai tha se të gjitha 18 rastet nga Ferizaj janë infektuar nga ky person. Të infektuarit janë kolegë të punës dhe familjarët e tij.

“Personi i ndjerë ka qenë deri më 6 prill pa shenja simptomatike të Covid-19. Ai vazhdueshëm ka komunikuar me të tjerët se ka qenë vozitës ne Bondsteel, ku ka punuar deri të shtunën e kaluar dhe pastaj e ka pasur pushimin dhe këtë kohë e ka kaluar me familjarët e tij. Ka pasur komunikime të vazhdueshme se nuk ka pasur asnjë simptomë. Personat që sonte kanë dalë pozitiv, janë kolegë të punës dhe familjarët e tij”, ka treguar Aliu.

Aliu theksoi se të gjithë këta persona kanë qenë në vetizolim.

“Pas vdekjes dhe zbulimit se ishe me këtë virus, të gjithë këta persona të prekur kanë qenë në masë të vetizolimit, dhe instituti i ka marr mostrat nga ta. Ata nuk kanë dalë, kanë qëndruar të vetizoluar. Tash mbetet vetëm ajo pjesë se çka kanë mundur të bëjnë ata para vetizolimit”.

“Le të shërbejë ky rast për të kuptuar se si nga një rast i vetëm mund të dalin shumë persona të infektuar”, deklaroi Aliu.

“Në koordinim me IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë, do të marrim edhe masa tjera që janë të nevojshme, në mënyrë që Ferizaj të kalojë më mirë pas paraqitjes së numrit të madh të të infektuarve”, tha ai./Gazeta Sinjali/