Hetimi disa mujor i Policisë për identifikimin e disa të rinjve që dyshohen për një numër goxha të madh të vjedhjeve të rënda në Viti ka rezultuar me kapjen e tyre dhe sekuestrimin e provave gjatë operacionit që u zhvillua dje, raporton Gazeta Sinjali
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se tre të arrestuarit që dyshohen për së paku 13 raste të vjedhjeve janë Naim Salihi (24-vjeçar), Sami Qosa (18-vjeçar) dhe Altin Qosa (18-vjeçar).
Ata po dyshohen se duke vepruar si grup 13 rastet e vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda i kanë kryer gjatë muajit tetor dhe nëntor në disa fshatra të Vitisë.
Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë pasi është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme se të njëjtit janë të përfshirë në këto raste.
Tek të dyshuarit si prova materiale janë siguruar gjësende të cilat dyshohet se janë të vjedhura, që janë konfiskuar dhe më pas pritet t’ju kthehen pronarëve legjitim.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë. Ndaj tyre do të dorëzohet edhe kallëzimi penal, së bashku me dëshmitë e konfiskuara, teksa brenda afatit ligjor, Prokuroria do t’i marrë veprimet tjera të nevojshme.
Kujtojmë se siguria në vendin tonë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.