Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pasi u tha se për dy vjet kishte shpenzuar mbi 10 mijë euro para të shtetit për udhëtim. Gashi përmes një postimi në Facebook tha se në mandatin e tij të parë si deputet ka jetuar në Pejë.
Gashi thotë se atë kohë s’e kishte ditur se po i mbuloheshin shpenzimet e udhëtimit. Ai tha se në mandatin e tij të dytë e ka njoftuar Kuvendin se po jetonte në Prishtinë.
“Mandati im si deputet i Kuvendit të Kosovës është i pesti me radhë. Gjatë mandatin tim të parë, kam jetuar në komunën e Pejës. Në atë kohë, për pjesën dërmuese të deputetëve, apo ata që jetonin jashtë kryeqytetit, Sekretariati i Kuvendit të Kosovës kishte vlerësuar se duhet t’iu paguhen shpenzimet e udhëtimit. Thënë të drejtën, asokohe as nuk e dija që na takonte një gjë e tillë, gjë që e kam kuptuar me shumë muaj vonesë”, ka shkruar Gashi.
“Mirëpo, nga mandati im i dytë e tutje unë jetoj në Prishtinë. Dhe nga dita ime e parë e mandatit tim të dytë, e kam njoftuar Sekretariatin e Kuvendit të Kosovës që tash e tutje jetoj në kryeqytet dhe se normalisht lirohem nga pagesa e udhëtimit”, ka thënë Gashi.
“Për të qenë edhe më konkret; me vetëdije e ndërgjegje të pastër, në harmoni me normat e etikes, me vullnetin tim të lirë dhe pa presionin e opinionit publik, unë kam njoftuar e kërkuar, si dhe jam liruar nga pagesa e shpenzimeve të udhëtimit që nga dita ime e parë e mandatit tim të dytë – para 10 vitesh, apo që nga koha që unë jetoj në Prishtinë”, ka shkruar ai.