image 1 muaj paraburgim për personin që sulmoi policin në Suharekë

Drejtësi

1 muaj paraburgim për personin që sulmoi policin në Suharekë

news image

Gjykata Themelore në Prizren, Dega në Suharekë i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje deri në 30 ditë Burim Kotorrit, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, shkruan Gazeta Sinjali.

Kotorri dyshohet se ka sulmuar policin, Milaim Gashin, i cili ishte në kryerjen e detyrës zyrtare.

“Me datën 10 janar në orët e mëngjesit, në  Suharekë, saktësisht në shtëpinë e tij familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik dhe psikologjik apo emocional, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, ndaj të dëmtuarës respektivisht bashkëshortes së vëllait të tij, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake pasi që më parë i pandehuri e kishte keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte, ndërsa në momentin kur e dëmtuara ka qenë në shtëpi i pandehuri i drejtohet të dëmtuarës me fjalë si dhe e largon nga shtëpia, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe shqetësimit të madh”, thuhet në një njoftim për media.

Në njoftim thuhet se “Kur zyrtarët policorë kanë shkuar në vend ngjarje për tu marrë me rastin, takohen me të pandehurin, i pandehuri B.K., nuk ka qenë bashkëpunues me zyrtarët policor, në një moment i pandehuri nga xhepi i ka nxjerrë një mjetë të rrezikshëm – thikë dhe me të njëjtën e sulmon fizikisht të dëmtuarin zyrtarin policor M.G., të cilit i shkakton edhe lëndime trupore në pjesën e kokës”.

“Nga arsyet e cekura më lart caktimi i masës së paraburgimit paraqitet si masë më e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për ta siguruar prezencën e pandehurit dhe zhvillimin e procesit normal të kësaj procedure penale, pasi që masat tjerat alternative janë të pamjaftueshme”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/