image 1 Maji/ Molliqaj thotë se sindikatat gjenden në trysninë e pushtetit - Sinjali

1 Maji/ Molliqaj thotë se sindikatat gjenden në trysninë e pushtetit

news image

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një shkrim me rastin e 1 Majit – Ditës së Punëtorëve, ka thënë se sindikatat sot gjenden në trysninë e pushtetit autoritar të Albin Kurtit.

“Ato janë përjashtuar arbitrarisht nga dialogu social. Punëtorët dhe sindikatat duhet ta ruajnë autonominë e tyre me çdo kusht, ndërkohë që s’duhen as komplekse për asocime e aleanca. Ky presion kërkon bashkim dhe rezistencë”, ka shkruar Molliqaj, në Facebookun e tij.

“Fitoret e punëtorëve sigurisht se ndërlidhin politikën. Por, asgjë më keq s’ka sesa humbja e autonomisë sindikale, shkrirja në parti. Në këto kohë na duhet qëndresë dhe organizim”, ka theksuar ai.

POSTIMI I PLOTË:

1 Maji është dita e punëtorëve që mundësuan funksionet bazike të jetës kur të gjithë u strukëm nga virusi. Janë dy vjet që rreziku i tyre ishte ushqim dhe shëndet për ne.

Qeveritë ndërkohë, ndajnë nga 100 euro, ose edhe më keq: iu japin pronarëve në emër të tyre;Është ditë e grave që punojnë dy herë, për t’u paguar më pak se paga e burrit. Ato mbajnë mbi shpatulla patriarkalizmin që u vjen si punë shtëpie në emër të përkujdesit nga dashuria.

Ato mbajnë mbi supe edhe shfrytëzimin e objektivizimin nga marrëdhëniet kapitaliste.

1 Maji është i punëtorëve të ndërtimit që sakatohen në punë, por s’kanë garancë shëndetësore as sigurim në rast lëndimi;

1 Maji është i shitësit në qendra tregtare që preket direkt nga puna prekariat, pra mungesa dhe moszbatimi i kontratës;

1 Maji është ditë e rezistencës. Ai na mëson se fitoret historike si pushimi e dita 8 orëshe e punës janë paraprirë nga greva, arrestime e vrasje. Është rezistenca, dhe jo gjeneroziteti i pronarëve garancë për një botë pa pranga.

1 Majin duhet ta nxjerrim nga ndryshku dhe reliktet e real-socializmit. Atëherë festohej sepse Partia pretendonte fundin e kontradiktave. Në fakt, asgjë s’ishte kryer veç Partisë që ishte në krye.Sindikatat sot gjenden në trysninë e pushtetit autoritar. Ato janë përjashtuar arbitrarisht nga dialogu social.

Punëtorët dhe sindikatat duhet ta ruajnë autonominë e tyre me çdo kusht, ndërkohë që s’duhen as komplekse për asocime e aleanca.

Ky presion kërkon bashkim dhe rezistencë. Fitoret e punëtorëve sigurisht se ndërlidhin politikën. Por, asgjë më keq s’ka sesa humbja e autonomisë sindikale, shkrirja në parti. Në këto kohë na duhet qëndresë dhe organizim.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin