Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka qenë i pranishëm në kontrollet që i janë bërë të gjithë udhëtarëve që kanë ardhur pasditen e sotme nga Italia në Prishtinë.
Aeroplani nga Verona ka arritur në Prishtinë rreth orës 15:50, ndërsa udhëtarët i janë nënshtruar kontrolleve nga ekipet mjekësore. Sipas Ramadanit, janë gjithsej pesë- ekipe mjekësore të cilat janë në ndihmë të Aeroportit “Adem Jashari”.
Ramadani tha se udhëtarët nuk kanë pasur shenja të koronavirusit, megjithatë një raport më i zgjeruar do të bëhet pasi të kryhen të gjitha kontrollet.
Ai tha se të njëjtit po këshillohen se si duhet të sillen në rast se shfaqin shenja të dyshimta gjatë ditëve në vijim.
Ramadani: Nuk ka asnjë të dyshuar, raporti i detajuar pasi të kryhen kontrollet
“Janë katër ekipe mjekësore dhe një ekip i Institutit Kombëtar në përcjellje dhe ndihmë të vazhdueshme të aeroportit dhe ekipeve mjekësore. Kështu që kemi ardhur këtu për të parë nga afër faktikisht kontrollin e rregullt të të gjithë pasagjerëve të cilët udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës dhe në veçanti gjendemi pas kontrollit të udhëtarëve të cilët vijnë në linjën Prishtinë-Veronë. Duke pasur parasysh se kontrolli i mjekësve ka filluar dhe është në fluks të punës mund të themi se përshtypjet e para janë impresionuese dhe nuk ka asnjë person të dyshimtë”, deklaroi Ramadani.
Ndryshe, Italia është prekur nga koronavirusi vdekjeprurës ku janë regjistruar rreth 456 raste me të infektuar dhe të paktën 14 të vdekur./GazetaSinjali/