Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 44 persona, të cilët kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Prej tyre, tre janë në gjendje kritike, ndërsa shtatë të tjerë të cilët kanë nevojë për oksigjeno-terapi. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme dy nga pacientët janë liruar në shtëpi.
Infektologu Murat Mehmeti ka bërë të ditur gjendjen e pacientëve që ndodhen nën kontrollin e stafit mjekësor në Klinikën Infektive.
“Për momentin e kemi të shtrirë me COVID-19 pozitivë të konfirmuar gjithsej 44 raste. Prej këtyre, tri raste janë në gjendje kritike, për faktin se janë në respiratorë, konkretisht me frymëmarrje të sforcuar, dhe i kemi shtatë pacientë të cilët kanë pa mjaftueshmëri respiratore dhe të cilët kanë nevojë për oksigjeno-terapi. Ndërkohë që pacientët e tjerë janë relativisht mirë, po mbahen dhe po qëndrojnë mirë”, tha Mehmeti.
Infektologu Mehmeti thotë se po arrijnë të menaxhojnë gjendjen në Klinikën Infektive, marrë parasysh se një numër i madh i te infektuarve po trajtohen në kushte shtëpiake, dhe ndodhen në vetizolim.
“Është më shumë se 50 numri i të shëruarve. Vetëm sot i kemi larguar dy pacientë, te cilëve pasi iu janë marrë strishat dy herë. Pasi që rregull është që pasi iu merren strishat dy herë të cilat rezultojnë negative, ne e llogaritim si të shëruar dhe lëshohen për shtëpi, kështu që sot i kemi liruar dy pacientë. Dhe kemi edhe pacientë të tjerë që besoj shumë shpejt do t’i lirojmë po ashtu, por që jemi në pritje të rezultateve”, tha Mehmeti.
Ai u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, dhe të mos grumbullohen me të tjerët, pasi në këtë mënyrë parandalohet përhapja e mëtejme e të prekurve me koronavirusin e ri.
Deri më tani në Kosovë janë 283 të infektuar, prej tyre 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur./Gazeta Sinjali/