image ​Shumë biznese nuk morën nga 290 euro për punëtorët nga Fondi për Rimëkëmbjen Ekonomike

Financa

​Shumë biznese nuk morën nga 290 euro për punëtorët nga Fondi për Rimëkëmbjen Ekonomike

news image

Ani pse shumë biznese të cilat nuk u ndalën së punuari asnjëherë në pandemi morën nga shteti mbështetje financiare nga masa për punëtorë nga 290 euro, disa biznese individuale që ishin të mbyllura për shkak të masave kufizuese nuk kanë arritën ta marrin këtë mbështetje asnjëherë.

Një ndër këto biznese individual, është edhe “Moda sebby” nga Gjilani, që nuk mori asnjë cent, e që ka bërë disa ankesa në Ministri të Financave dhe në Administratën Tatimore të Kosovës.

Këta të fundit, pranojnë se janë ende disa biznese që nuk kanë përfituar nga kjo masë, por thonë se janë duke i shqyrtuar ankesat e tyre nga Komisioni përkatës dhe do të marrin përgjigje të shpejtë.

Tansu Emini nga “Moda sebby” tregon se është taksapagues për më shumë se 12 vjet dhe mbetet i diskriminuar nga shteti karshi atyre bizneseve që përfituan gati nga 1 milion euro dhe nuk ishin të mbyllura në kohë pandemie.

Emini thekson se nga dhjetë euro janë të detyruar të paguajnë për çdo muaj për kartelën bankare të biznesit, në anën tjetër sipas tij, asnjë cent nuk morën nga shteti edhe pse ishte kriter nga ATK-ja për këtë kartelë.

“Biznesi dy punëtorë i ka, unë edhe babi, të regjistruar jemi. Prej tetorit na kanë thënë me hap llogari të biznesit dalin paratë. Tri herë ankesë kemi bërë, por prej 16 tetorit e deri më sot paratë nuk kanë dalë, pra asnjë cent, vetëm atë nga 170, asgjë tjetër. Ato (qendrat tregtare) kanë punuar, kanë marrë para, ndërsa ne s’kemi punuar edhe shumica e kolegëve që jemi me lokale brenda, vetëm dy veta i kanë marrë paratë, 20 jo”, tha Emini për KP.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa thekson se secili tatimpagues që nuk ka arritur të marrë mbështetjen prej 290 euro, fillimisht duhet të bëjë ankesë, të cilat shqyrtohen shpejt nga Komisioni përkatës.

Ajo ka inkurajuar tatimpaguesit në fjalë dhe të gjithë tatimpaguesit të tjerë të cilëve ende nuk iu kanë kaluar mjetet në llogari të komunikojnë me Komisionin përkatës ose të bëjnë pjesën e ankimimit.

“Kemi shumë raste, edhe individualisht, që kanë bërë kërkesë te Komisioni përkatës se nuk iu kanë kaluar mjetet në llogari. Por, pas verifikimit, mjetet veç kanë kaluar në periudhën e caktuar në llogarinë, ndoshta edhe nuk kanë arritur t’i identifikojnë për shkak edhe të rrjedhës së mjeteve të tjera, por ndoshta edhe për shkak të moskujdesit për verifikim. Sido që të jetë për rastin në fjalë ne shumë shpejt do të mund të ju informojmë, por me autorizim”, thotë Bytyqi-Sefa.

Ndërsa, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk është përgjigjur për agjencisë së lajmeve lidhur me zbatimin e kësaj mase dhe për numrin e ankesave në këtë Ministri.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri po thotë se nuk përjashtohet mundësia që t’iu bëhet hile disa bizneseve, që nuk kanë ndonjë lidhje për përfitim nga shteti, ani pse janë tatimpagues të rregullt.

“Disa kanë proceduar me vonesë, disa kanë qenë më azhur dhe i kanë prezantuar të dhënat e veta. Dikush ka edhe të njohshëm në institucionet e shtetit dhe më lehtë depërton. Disa s’janë paraqitur dhe i kanë paguar obligimet dhe s’ka pasur nevojë me i njohur ata njerëz personalisht dhe atyre normalisht që kapak munden me iu bërë hile aty”, theksoi Shatri.

Më 28 shtator 2020 Qeveria Hoti në atë kohë kishte marrë vendim për ndarjen e 60 milionë eurove për subvencionimin e pagave të bizneseve aktive.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pati thënë në atë kohë se këto mjete ishin ndarë nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë kompanitë.

Për këto biznese, nga ky Fond, i cili kap vlerën e mbi 350 milionë euro, do të ndahen 60 milionë euro. Po ashtu, sipas deklaratës së saj, në listën e përfituesve të kësaj shume prej 60 milionë eurove janë mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.

Ditë më parë ministri aktual i Financave, Punës dhe Transferve ka publikuar listën e 50 përfituese për punëtorë./Gazeta Sinjali/