image ​Imunizohen mbi 45 mijë nxënës të moshës 12 deri në 18-vjeç

Shëndetësi

​Imunizohen mbi 45 mijë nxënës të moshës 12 deri në 18-vjeç

news image

Mbi 45 mijë nxënës të moshës 12 deri në 18-vjeç janë vaksinuar me dozën e parë dhe 1 mijë e 828 të tjerë janë aktualisht të infektuar. Kurse, në skenarin online janë vetëm tri shkolla.

Kështu ka thënë zëvendësministri i MASHT-it, Dukagjin Pupovci, i cili shtoi se sipas informatave që marrin çdo ditë nga terreni, tha se numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar me virusin korona ka rënë dukshëm.

“Aktualisht numri i mësimdhënësve të infektuar me COVID-19, është 412 në dallim me javën e kaluar ku ishin 1 mijë e 489 të infektuar, pra numri i mësimdhënësve të infektuar ka rënë dukshëm”, tha Pupovci.

Ndërsa, numri i nxënësve të imunizuar, sipas Pupovcit nuk është aspak i kënaqshëm, në raport me atë të mësimdhënësve, kur prej tyre janë 23%, ndërsa këta të fundit 95%.

“Nëse merren personat e moshës 12 deri në moshën 18 vjeç me të paktën një dozë, janë të imunizuar 45,387 persona, e që nga vlerësimet e popullsisë del se janë përafërsisht 200 mijë persona, e që i bie se shkalla e vaksinimit është diku 23%, përqindje kjo e cila nuk mund të quhet e kënaqshme. Ndërsa, numri i mësimdhënësve kalon diku 95%, dhe situata aty është jashtëzakonisht e mirë”, tha Pupovci për KP.

Deri më sot janë dhënë 91 mijë e 372 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Ndërsa, nga 4 mijë e 132 testime, 717 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin korona.

/GazetaSinjali/