image ​Haradinaj Stublla – Cakaj: Të ndalet fshirja e qëllimshme e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Kosovë

​Haradinaj Stublla – Cakaj: Të ndalet fshirja e qëllimshme e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

news image

Shefja e diplomacisë së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, kanë reaguar ndaj procesit të fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Luginë nga autoritetet e Serbisë, veçanërisht në Medvegjë, por edhe Bujanoc e Preshevë, shkruan Gazeta Sinjali.

Haradinaj-Stublla dhe Cakaj në një reagim të përbashkët kanë deklaruar se fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është duke krijuar jo vetëm një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike të atyre hapësirave dhe të numrit të shqiptarëve në Serbi, por është duke shkelur rrënjësisht të drejtat e liritë themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës.

“Kjo praktikë shtetërore e zbatuar në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe të qëllimshme përbën edhe një formë të re të shtypjes së ushtruar ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Prandaj, ndërsa ne e dënojmë fuqimisht këtë praktikë institucionale, u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë ta ndërpresin menjëherë punën sistematike për pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Kjo praktikë shtetërore nuk dëmton vetëm të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por është edhe një shpërfillje e plotë të standardeve demokratike në përgjithësi”, thuhet në deklaratë.

Haradinaj-Stublla dhe Cakaj u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse ndërkombëtare, në radhë të parë Komitetit Këshillues të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve të Këshillit të Evropës dhe Komisionarit të Lartë të OSBE-së për Minoritetet Kombëtare, për ta përcjellë këtë proces me vëmendje të shtuar dhe për të vepruar për parandalimin e këtij procesi me pasoja afatgjate ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Kosova dhe Shqipëria mbeten të përkushtuara për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe besojnë thellësisht në të ardhmen evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, duhet theksuar se përpara së gjithash, kjo nënkupton njohje të ndërsjellë, trajtim të barabartë dhe respektim të plotë standardeve demokratike”, përfundon deklarata.

/Gazeta Sinjali/