image ​Gjenden mbetje mortore në Rashkë të Serbisë nga lufta e fundit në Kosovë

Sociale

​Gjenden mbetje mortore në Rashkë të Serbisë nga lufta e fundit në Kosovë

news image

Gërmimet e filluara në regjionin e Rashkës, ku dyshohet se janë fshehur mbetjet mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë, si duket kanë dhënë rezultatet e veta, pasi bëhet e ditur se aty tashmë janë gjetur mbetje mortore, shkruan Gazeta Sinjali.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara ka pohuar se janë të njoftuar se janë gjetur mbetje mortore në lokacionin në Kizhevak.

Ai ka thënë se shumë shpejt do të jenë në këtë lokacion pasi me të marrë informatat e para janë nisur për atje.

“Ju konfirmojmë se jemi njoftuar që është hasur në mbetje mortore në lokacionin në Kizhevak, në lokacionin që është duke u punuar në kuptimin e gërmimit vlerësues nga viti 2015. Dy ekspertë të Republikës së Kosovës tani janë të pranishëm në lokacion, po ashtu si delegacion jemi rrugës dhe besoj se pas pak do të jemi në lokacion. Hollësitë tjera do të konfirmohen në ditët në vijim”, ka thënë Gara për KP.

Edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini ka konfirmuar se janë gjetur eshtra në Kizhevak të Rashkës.

“Na kanë njoftuar se gjatë punës me ekskavator në Kizhevak të Rashkës, kanë hasur në eshtra. Tani duhet të ndryshojë mënyra e gërmimit, pra të mos përdoret ekskavatori. Pas 5 vitesh gërmimesh tek tani u gjetën eshtra, ndërkohë që atje janë dërguar njerëz me kamion”, është shprehur Qerkini.

Ndryshe, tash e 5 vite zhvillohen gërmime në Rashkë të Serbisë, ndërsa paraditen e së hënës janë gjetur eshtrat e para atje, që dyshohet të jenë të të personave që sot konsiderohen si të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. /Gazeta Sinjali/