image ​Albin Kurti shtron iftar për myftiun Naim Tërnava

Kosovë

Aktualitet/ ​Albin Kurti shtron iftar për myftiun Naim Tërnava

news image

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me një pjesë të ministrave të tij në detyrë, priti sot në zyrën e tij një delegacion të Bashkësisë Islame të Kosovës, në krye me myftiun Naim Tërnava.

Gjatë këtij takimi, kryeministri në detyrë Albin Kurti ishte i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.

Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi myftiun Tërnava për bashkëpunimin që institucionet fetare kanë pasur në luftimin dhe menaxhimin e pandemisë përmes thirrjeve të tyre që besimtarët ta ruajnë distancën fizike dhe të rrinë në shtëpitë e tyre në mënyrë që të pamundësohet shpërndarja e koronavirusit.

“Rezultatet e fundit janë shpresëdhënëse, por kjo nuk duhet të na relaksojë. Kujdesi dhe vëmendja duhet të vazhdojnë të jenë të shtuara”, ka porositur Kurti.

Pas takimit, kryeministri në detyrë shtroi iftar për delegacionin e Bashkësisë Islame, duke iu uruar agjërim sa më të lehtë përgjatë ditëve të mbetura të muajit të shenjët të Ramazanit./Gazeta Sinjali/