Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka komentuar sot raportin e ekspertizës së mjekëve zviceranë të rastit të vdekjes së Astrit Deharit, i cili ka kërkuar fillimin e një hetimi të ri, të pavarur, profesional, pasi që sipas tij, ai zviceran ka përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes.
Kurti edhe pse shprehet i bindur se ish-aktivisti i VV-së është mbytur, ka thënë se hetimi i ri do të zbardhë të vërtetën për vrasjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit.
“Prandaj është i domosdoshëm një hetim i ri profesional, i cili do të trajtojë vetëm faktet dhe provat materiale dhe njëkohësisht rrethanat e krimit jo vetëm në aspektin fizik, por edhe hetimin e deritanishëm si dhe personat përgjegjës se çfarë kanë bërë si e kanë bërë dhe çfarë nuk kanë bërë. Pra, nevojitet një hetim i ri, i pavarur, profesional, i cili do ta zbardhë të vërtetën për mbytjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit”, tha Kurti.
Kryetari i VV-së po ashtu ka konfirmuar se do të udhëtojë në Tiranë, ku do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare , si dhe do të ketë një takim me kryeministrin Edi Rama, edhe pse Kurti nuk ka treguar se cila do të jetë tema e takimit.
“Sonte shkoj në një konferencë ndërkombëtare që mbahet në Tiranë e ku jam ftuar e cila zgjatë për gjatë fundjavës e në të njëjtën kohë edhe do të takohem me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Shumë gjëra do t’i diskutojmë”, theksoi Kurti.
Po ashtu, Kurti tha se dje kishte pasur disa takime me zyrtarë të larë në Gjermani për ta shpjeguar programin qeverisës dhe për bisedimet me LDK-në.
Ai tha se ka pasur takime tek zyra e kancelarës Merkel, me këshilltarin e saj për politikë dhe siguri Heker, në Ministrinë e Jashtme, e po ashtu edhe në Bundestagun gjerman me deputetët e partive të ndryshme politike atje.
Kurti tha se do të bashkëpunojë me aleatët e Kosovës, si me Gjermaninë për zhvillim ekonomik, për sundim të ligjit dhe për integrime evropiane.
“Kam shpaguar programin tonë, bisedimet tona me Lidhjen Demokratike të Kosovë dhe zotimin tim si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës që do të bashkëpunoj ngushtë me partnerët, me aleatë tanë siç është edhe Gjermania, për zhvillim ekonomik, për sundim të ligjit, për integrime evropiane dhe që të gjithë këta më kanë uruar për rezultatin e mirë të VV-së më 6 tetor”, deklaroi ai.