Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se janë rikthyer në ofertën fillestare ku kryetari i Kuvendit i takon LDK-së.
Bahtiri që kishte deklaruar se Glauk Konjufca nuk do të largohet nga posti i kryetarit të Kuvendit, tha se nuk është dëmtuar reputacioni i Konjufcës.
“Marrëveshja e cila ka pasur të lidhet pas tri ditësh ka qenë që posti i kryeparlamentarit t’i jepet LDK, por për kryetarin e shtetit të jenë me konsensus që do të jetë kur t’i vijë koha. Kjo ka qenë edhe më parë kërkesa jonë, kjo ka qenë oferta jonë dhe në këtë ofertë jemi kthyer dhe kjo është krejt në rregull… figura e Konjufcës nuk është dëmtuar fare, ai është njeriu më i devotshëm ne parti, një njeri i ndershëm dhe unë e çmoj më së shumti në partinë e LVV-së”, tha ai.
Sa i përket propozimit të Agim Veliut për ministër të Punëve te Brendshme, Bahtiri tha se për ta është i pranueshëm çdo kandidat që e dërgon LDK.
“Ne kemi një koalicion të ndërtuar dhe parterit tonë i besojmë dhe çdo njëri që e dërgon LDK për ne është i pranueshëm. Unë mendoj që Agim Veliu e ka një bagazh të politikës që 20 vite dhe unë mendoj se krejtësisht do të jetë në rregull, për arsye se ne jemi afruar për të çuar një program përpara. Kjo qeveri do të jetë në bazë të programit”, tha ai.
Sa i përket kritikave të partive opozitare, ai tha se populli e di se kush janë ata dhe kush janë Lëvizja Vetëvendosje.
Bahtiri tha se do t’i përvjelin duart për t’i përmbushur premtimet./Gazeta Sinjali/