Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, sot ka vizituar punimet e deritanishme në zgjerimin e rrugës nacionale N25, Besi – Podujevë, projekt ky për të cilin premtoi shtim të mjeteve për përfundimin e kësaj rruge.
Ministri Abdixhiku tha se kjo vizitë e tij është bërë me qëllim që të tregojë se Qeveria Kurti e ka prioritet të pakontestueshëm përfundimin e rrugës në këtë regjion të Kosovës.
Abdixhiku theksoi se në buxhetin e vitit 2020 do të ndahen mjete shtesë për të vazhduar punimet me dinamikë të re në këtë segment.
“Për qeverinë dhe mua si ministër rruga dhe përfundimi i rrugës në fjalë do të jetë prioritet i pakontestueshëm në buxhetin e vitit 2020 do të ndajmë mjete shtesë për të vazhduar punimet me intensitet dhe dinamik të re. Ideja është që të përfundojë rruga me katër korsi deri në Besi dhe të vazhdojë deri në Bërnicë, sepse ky qytet është ndër rrugët më të frekuentuara që ka Kosova”, tha Abdixhiku.
Ministri Abdixhiku tutje u zotua se nuk do të nisë asnjë projekt tjetër, pa i përfunduar projektet që tashmë kanë nisur.
“Është tërësisht e papranueshme se si një qytet si Podujeva me mbi 100 fshatra sesi banorët e kësaj ane kanë mbetur të neglizhuar në ndërlidhjen e një elementi parësor të jetesës dhe mbijetesës në këtë rrugë. Prioritet do t’u japim edhe rrugëve tjera që janë duke shkuar do t’i përfundojmë këto projekte të tanishme sa më shpejt të jetë e mundur dhe nuk do të nisim asnjë projekt tjetër pa përfunduar projektet madhore që ka Kosova”, tha ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit.
Gjatë ditës, ministri Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili dikur mbante postin e të parit të Podujevës, vizituan edhe segmentin e pestë të rrugës Besi-Podujevë./GazetaSinjali/