Mëngjesin e sotëm është shënuar viktima e 27 nga Covid-19 në Kosovë. Pacientja që ka ndërruar jetë është një 63-vjeçare nga Dragashi, e cila përveç infeksionit me koronavirus ka pasur edhe sëmundje kronike të veshkave dhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se në këtë klinikë aktualisht po trajtohen 12 pacientë, ndërsa sot gjatë ditës janë liruar katër pacientë të shëruar nga koronavirusi.
“Për momentin në klinikë kemi 12 pacientë të prekur me Covid-19. Gjendja shëndetësore e nëntë prej tyre është shumë e mirë, ndërsa dy persona janë në oksigjeno-terapi. Ndërsa, në repartin intensiv vazhdojmë të kemi në gjendje shumë të rëndë një të moshuar 73-vjeçar, i cili krahas mbikëqyrjes nga infektologu në bashkëpunim me anesteziologun, është duke u monitoruar 24 orë në përkujdesje intensive dhe gjendjen e tij e vlerësojnë kritike”, tha Krasniqi.
Ai ka folur edhe për vdekjen e viktimës së 27 nga COID-19 në Kosovë, e cila është një paciente nga Dragashi.
“Sot në orët e mëngjesit nuk ka arritur t’i mbijetojë infeksionit një grua e moshës 63-vjeçare nga komuna e Dragashit, e cila në Klinikën Infektive është pranuar para 12-13 ditëve. Është e vërtetë që krahas infeksionit ajo ka pasur edhe pamjaftueshmëri të veshkave, dhe si pasojë e saj ka qenë në dializë të rregullt kronike, sëmundje të diabetit”, shton Krasniqi.
Veç tjerash thotë se mbrëmë në Klinikën Infektive janë pranuar dy raste, ku një fëmijë i moshës 2-vjeçare së bashku me nënën e saj kanë shfaqur simptoma më të theksuara të virusit, por që tani janë në gjendje stabile.
“Dje, në Klinikë janë pranuar dy raste të reja me Covid pozitiv, por nuk janë pacientë që janë konfirmuar dje, janë konfirmuar diku me 26 të muajit të kaluar. Janë rastet që kanë qenë në shtëpi, dhe për shkak se kanë manifestuar disa simptoma të sëmundjes, kanë ardhur në klinikë. Është nëna me vajzën e saj, 2-vjeç e 10 muaj. Gjendja e tyre për momentin është stabile”, tha Krasniqi.
Infektologu Krasniqi tregon se nga këta 12 pacientë, rasti i moshës më të shtyrë është pacienti 80-vjeçar, por që ka edhe të moshave më të reja, por sipas tij të njëjtit janë në gjendje stabile.
Ai thotë se pavarësisht numrit të vogël të rasteve që janë paraqitur ditëve të fundit, qytetarët duhet të vazhdojnë të mbajnë higjienën personale, dhe të kenë kujdes me distancën fizike.
“Ende kemi disa vatra në vendbanime të ndryshme të Kosovë, ende kemi një numër të madh të personave të kontaktit që janë duke u monitoruar nga ana e ekipeve në terren, dhe përkundër faktit që duhet të marrim frymë më lirshëm, ne ende nuk duhet të kemi relaksim të përgjithshëm. Duhet ende që të jemi të vëmendshëm, duhet ta përcjellim me syçelëti situatën epidemiologjike në nivel të vendit. Eventualisht rastet e reja që paraqiten, unë do të këshilloja qytetarët që edhe më tutje që të vazhdojnë të mbulojnë fytyrën dhe gojë”, tha Krasniqi.
Në Kosovë janë konfirmuar 860 raste me COVID-19, 533 janë shëruar, ndërsa 27 kanë vdekur./GazetaSinjali/