Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha sonte se arrestimi i Alexei Navalnyt pas arritjes në Moskë ishte i papranueshëm dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia ruse arrestoi sot kritikun kryesor të Kremlinit, Alexei Navalny, pas mbërritjes së tij në aeroportin rus Sheremetyevo ndërsa po përgatitej të kalonte kontrollin e pasaportave, ka konfirmuar Shërbimi Federal i Burgjeve i Rusisë (FSIN).
Navalny është shëruar në Gjermani muajt e fundit pasi mbijetoi një helmim.
Ministri i Jashtëm i Bashkimit Evropian, Josep Borrell u bëri thirrje autoriteteve ruse të respektojnë të drejtat e Alexei Navalnyt dhe kërkoi në Twitter lirimin e tij.
“Politizimi i sistemit të drejtësisë është i papranueshëm”, tha Borrell.
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki gjithashtu bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalny dhe i kërkoi BE të përgjigjej për arrestimin e tij.
“Arrestimi i Navalny është një përpjekje tjetër për të frikësuar opozitën demokratike në Rusi. Një përgjigje e shpejtë dhe e qartë në nivelin e BE-së është thelbësore. Respektimi i të drejtave të qytetarëve është themeli i demokracisë”, shkroi Morawiecki në Twitter.
“Unë u bëj thirrje autoriteteve ruse që të lirojnë të arrestuarin menjëherë”, shtoi ai.
Më parë, Lituania, Letonia dhe Estonia kërkuan lirimin e Navalnyt dhe reagimin e BE-së, duke kërkuar gjithashtu futjen e masave kufizuese kundër Rusisë.
Në gusht 2019, Navalny u dërgua në Gjermani pasi ra në koma në një fluturim nga Siberia. Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore pretendojnë se ishte një sulm me agjent nervor, por autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje në çështje.