Janë bërë 20 vite prej kur ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, është ekstraduar për në Hagë, përcjell Gazeta Sinjali.
I njohur ndryshe edhe si “Kasapi i Ballkani”, Millosheviqi u ekstradua në Hagë më 28 qershor të vitit 2001, pasi më 27 maj 1999 u bë publike aktakuza për krime lufte në Kosovë.
Më vonë ai akuzohet për krime edhe në Kroaci dhe gjenocid në Bosnje e Hercegovinë.
Ai ishte ekstraduar me urdhrin e Qeverisë serbe. Millosheviq ishte arrestuar në Beograd më 1 prill 2001, pasi ishte përgjegjës për vdekjen e dhjetëra-mijëra njerëzve.
Gjykimi i Millosheviqit në Hagë nisi më 12 shkurt 2002 dhe u ndërpre dhjetëra herë për shkak të problemeve kardiovaskulare që ai kishte dhe tensionit të lartë të gjakut.
Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje e Hercegovinë, ka zgjatur deri më 25 shkurt 2004. Mbrojtja e tij ka filluar në fund të gushtit 2004.
Më 22 shkurt, Millosheviq deklaroi se nuk ishte më në gjendje të vazhdojë marrjen e dëshmitarëve në pyetje, ndërsa më 24 shkurt refuzohet kërkesa e tij për shërim në Rusi.
Më 11 mars 2006, në orën 9:30, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij./Gazeta Sinjali/