image Tromp: Kosova nuk ka bërë asgjë kundrejt gënjeshtrave të Serbisë

Politikë

Tromp: Kosova nuk ka bërë asgjë kundrejt gënjeshtrave të Serbisë

news image

Është befasues reagimi joadekuat i të gjithë atyre, kundër të cilëve Serbia gënjen, përfshirë edhe Kosovën, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, për 12 vjet me radhë.

Ajo është autore e librit “Procesi penal kundër Sllobodan Millosheviqit: gjykimi i papërfunduar”, i cili u promovua të hënën, më 13 dhjetor, në Prishtinë.

Tromp thotë se mospërfundimi i procesit gjyqësor ndaj Millosheviqit, për shkak të vdekjes së tij më 2006, ka lënë pa zbardhur ideologjinë e tij se a kanë ndodhur luftërat për shkak të patologjisë së personalitetit të tij dhe evoluimit të vetëdijes së tij në vetëdije kriminale.

Tromp shpjegon gjithashtu arsyet se pse Millosheviqi nuk e ka dashur praninë e Misionit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë luftës në Kosovë, si dhe për Reçakun, ku ka ndodhur një prej masakrave të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.

Sipas saj, autoritetet serbe, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrin serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, sot e mohojnë në mënyrë të vazhdueshme të vërtetën për Reçakun, ashtu sikurse edhe për Vukovarin, Dubrovnikun, Sarajevën dhe Srebrenicën, në mënyrë që të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë.

Siç thotë ajo, jo vetëm udhëheqësit politikë dhe shtetërorë, por edhe gazetarët e akademikët nuk janë përpjekur që t’i gjejnë citatet relevante nga Tribunali i Hagës dhe të thonë ‘zoti Vulin, ju jeni ministër i Republikës së Serbisë, por ju po gënjeni’, lidhur me masakrën në Reçak.

Ne jemi marrë tepër shumë me masakrën në Reçak. Prokuroria ka pasur disa dhjetëra dëshmitarë, që nga dëshmitarët e mjekësisë ligjore, do të thotë, hulumtues në vendin e ngjarjes. Ka qenë William Walker dëshmitar, i cili asokohe ka qenë shef i misionit verifikues në Kosovë“, tha ndër të tjera Tromp.

/GazetaSinjali/