Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar sot se lloji i ri i koronavirusit të zbuluar në Britaninë e Madhe, i cili është treguar se përhapet më shpejt se varianti i mëparshëm, “nuk është jashtë kontrollit”, transmeton Gazeta Sinjali.
“Ne kishim shkallën e riprodhimit të virusit R0 më të lartë se 1.5, kështu që ne e vendosëm nën kontroll. Prandaj kjo situatë nuk është jashtë kontrollit në këtë kuptim”, tha zyrtari për çështje emergjence pranë OBSH-së, Michael Ryan, në një konferencë shtypi në Gjenevë.
Sipas OBSH-së, një person i infektuar me llojin e ri të koronavirusit infekton mesatarisht 1.5 persona të tjerë, ndërsa ky numër në Britani është 1.1 për variantet e njohura më parë të virusit.
OBSH njoftoi se një lloj i ri që alarmoi Britaninë u gjet gjithashtu në individë në Australi, Islandë, Itali dhe Holandë, si dhe se kishte disa raste në Danimarkë, shkruan agjencia e lajmeve gjermane DPA.
OBSH gjithashtu theksoi se kjo është një fazë normale në evolucionin e pandemisë.
“Ne duhet të gjejmë një ekuilibër. Transparenca është shumë e rëndësishme, është shumë e rëndësishme t’i thuash publikut se si qëndrojnë gjërat, por është gjithashtu e rëndësishme të përcjellësh informacionin se kjo është një fazë normale në evolucionin e virusit”, tha Ryan.
OBSH shton se një vaksinë e zhvilluar për të ndaluar pandeminë COVID-19 duhet gjithashtu të mbulojë një lloj të ri, por aktualisht po bëhen kontrolle për të verifikuar saktësinë e këtij pretendimi.