image ​Mustafa për Ramushin president: S’di si e ka llogaritur ai, por s’kemi vota të mjaftueshme

Politikë

​Mustafa për Ramushin president: S’di si e ka llogaritur ai, por s’kemi vota të mjaftueshme

news image

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka qartësuar se Ramush Haradinaj nuk është kandidat i koalicionit qeverisës për postin e presidentit, por tha se nuk sheh si një zgjidhje të mirë për postin e të parit të vendit nëse dilet me kushtëzime, shkruan Gazeta Sinjali.

Ramush Haradinaj ka shpallur kandidaturën e tij për të parin e vendit, por, Mustafa tha se nuk ka vota të mjaftueshme për të në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk e di si e ka llogaritur Haradinaj, por ne nuk kemi vota të mjaftueshme në Kuvend dhe t’i themi atij se do të jetë president, pasi që për këtë nevojiten të jenë mbi 80 deputetë të pranishëm në sallë. Ne duhet të ulemi me partitë që kanë së paku 80 deputetë dhe ta shtrojmë këtë çështje. Ne kemi një qëndrim të paqartë – Lista Serbe, sepse nuk e di se si do të sillet ajo në momentin e zgjedhjes së presidentit”, tha Mustafa në Klan Kosova.

Ai ka sqaruar se koalicioni qeverisës nuk ka një kandidat të përbashkët për president dhe se Haradinaj është kandidat vetëm i AAK-së.

Teksa ka folur për një takim me partitë politike për presidentin, Mustafa tha se LDK-ja nuk synon postin e presidentit në këtë situatë, por të mbajë postin e kryeministrit.

“Avdullah Hoti do ta drejtojë këtë qeveri ose do të shkojmë në zgjedhje të tjera”, u shpreh ai. /Gazeta Sinjali/