Ish-kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mungesa e një marrëveshjeje të përbashkët ndërmjet partive opozitare po i mundëson Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit të vazhdojnë ta diktojnë agjendën politike në vend.
Haradinaj ka thënë se opozita nuk ka arritur të ndërtojë një kontratë të përbashkët politike dhe as të dalë me një kandidat unik, gjë që sipas tij po e lë skenën politike nën dominimin e Vetëvendosjes.
“Ne po jetojmë në epokën Kurti. Përderisa ai i ka mbi 40 deputetë, do ta zbatojë agjendën e tij në Kosovë”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, situata do të ishte ndryshe nëse AAK, PDK dhe LDK do të kishin një marrëveshje të qartë politike dhe një ofertë të përbashkët për qytetarët.
“Ne do të mund të mos jetonim vetëm në epokën e tij, sikur të kishim një kontratë të përbashkët si opozitë dhe një plan konkret, me një kandidaturë konkrete”, ka thënë ai.
Sipas tij, mungesa e një alternative të organizuar opozitare po i jep mundësi Kurtit të vazhdojë me politikat e tij dhe ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
“Përderisa nuk kemi, një kontratë edhe s’kemi një ofertë, ne jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti dhe ai do ta zbaton atë që di më së miri, një lloj eksperimentimi me Kosovën e do të na dërgon në zgjedhje prapë. Pra kjo është ajo që e di edhe ajo që po ndodh. Nga përvoja ime politike e gjatë unë po e lexoj këtë”, tha ai.
Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se opozita mund të bëhet faktor vendimtar nëse arrin marrëveshje të përbashkët.
“Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, nëse do të isha i propozuar (për president) do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd. Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën. Po e thashë edhe një herë, përderisa VV nuk bie nën 40%, do të jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti, në eksperimentin Kurti. Mundemi me e pengu këtë, mundemi me e ndryshu vetëm nëse bëhemi bashkë opozita”, theksoi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!