image ​Ministria e Financave ka anuluar konkursin për drejtor të Doganës, pritet të ri-shpallet shpejt

Kosovë

​Ministria e Financave ka anuluar konkursin për drejtor të Doganës, pritet të ri-shpallet shpejt

news image

Ministria e Financave ka anuluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Kjo Ministri paralajmëron se së shpejti do të ri-shpallet konkursi për këtë pozitë pasi që zyra ligjore e kësaj ministrie ka kërkuar që të mbyllet ky proces.

E për zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi ky proces është ndërprerë për të mos pasur implikime në kuptimin politik.

Krasniqi ka inkurajuar të gjithë kandidatët që kanë qenë në garë të ri-kandidojnë sërish, pasi që do të jetë një proces edhe më transparent.

“Për momentin është ndërprerë ky proces në mënyrë që të sigurohemi që të arrijmë marrëveshje me anglezët dhe me amerikanët që me ndihmuar këtë proces pa asnjë implikim apo intervenim në kuptimin politik dhe së shpejti, kjo do të rishpallet. Ne inkurajojmë të gjithë me konkurrua dhe i sigurojmë të gjithë se transparenca do të jetë e plotë dhe kushdo që e meriton me qenë aty do të jetë”, thotë Krasniqi.

Kujtojmë se në prill ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi kishte pezulluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Doganës me arsyetimin e shfaqjes së pandemisë në vend.

Sikur disa institucione dhe kompani publike që kanë mbetur me ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm, edhe Dogana e Kosovës është në këtë situatë, përkundër që konkursi për drejtor të Doganës ishte shpallur më 12 shkurt të këtij viti nga Ministria e Financave./Gazeta Sinjali/