Emisari special i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak deklaroi sot se është koha që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses.
“Sot janë bërë saktësisht 10 vjet që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mirëpriti gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar në procesin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Është koha që ai të përfundojë me sukses,” ka shkruar Lajçak në llogarinë e tij në Twitter.
Një raund tjetër bisedimesh midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq u mbajt të hënën në Bruksel, si pjesë e një dialogu nën kujdesin e BE-së.
Pas negociatave, Lajçak tha se “përparim i plotë” ishte bërë në tema të hapura më parë, si bashkëpunimi ekonomik dhe personat e pagjetur.
Një takim i nivelit të ekspertëve do të mbahet javën e ardhshme. Hoti e Vuçiq do të takohen përsëri para fundit të shtatorit. /Gazeta Sinjali/