image Zyrtari komunal dënohet me 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë, iu rikualifikua vepra penale në hyrje në sisteme kompjuterike

Drejtësi

Zyrtari komunal dënohet me 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë, iu rikualifikua vepra penale në hyrje në sisteme kompjuterike

news image

Gjykata Themelore në Pejë, e ka gjykuar me 1 vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë Haki Kartallozin, zyrtar për Kthim dhe Komunitetet në Komunën e Pejës, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas këtij aktgjykimi, gjykata në veprimet e të akuzuarit të përshkruara si në aktakuzë, kishte gjetur se ekziston vepra penale “Hyrje në sisteme kompjuterike” dhe si rrjedhojë, gjykatësja gjatë shpalljes e bëri ricilësimin juridik.

Gjykatësja shtoi se ishte bërë ricilësimi juridik në dëm të të pandehurit, mirëpo sipas saj një cilësim i tillë ishte në harmoni me veprimet e provuara në shqyrtim kryesor dhe nuk cenonte indentitetin objekti i aktakuzës.

“Me ricilësim të veprës penale, nuk është tejkaluar aktakuza sepse gjykata asesi nuk është e varur nga cilësimi juridik i veprës penale të paraqitur në aktakuzë”, tha gjykatësja.

Po ashtu, i akuzuari detyrohet t’ia kthejë Komunës së Pejës shumën prej 18 mijë euro.

Ndryshe, prokurorja gjatë seancës së 31 marsit 2022, në fjalën përfundimtare bëri ndryshimin e përshkrimit faktik të të akuzuarit dhe i njëjti tani akuzohej se në cilësinë e zyrtarit për komunitete në Komunën e Pejës ka tejkaluar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për vete dhe për persona të tjerë, ashtu që derisa ishte i pajisur me linkun e sistemit “Protax”, si ish-zyrtar i tatimit dhe duke instaluar programin “Free Key Logger”, që përdoret për vjedhje të fjalëkalimeve, ka shfrytëzuar kompjuterin e zyrtarit Gani Toska, i cili ishte në një zyrë me të, si dhe duke shfrytëzuar kompjuterin e personal loptop përmes progamit “Protax”, ka hyrë në sistemin kompjuterik të zyrtares për tatim Makfirete Limani dhe ka shlyer obligimet tatimore të qytetarëve, raporton Betimi për Drejtësi.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së lidhur me nenin 81, për të cilin parashihet dënimi prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.

Ndryshe, Haki Kartallozi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 6 muaj burg, më 2 dhjetor 2019. Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim më 15 tetor 2020.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 nëntor 2017 dhe të ndryshuar më 27 nëntor 2019, Haki Kartallozi akuzohej se nga fillimi i muajit qershor 2016 e në vazhdimësi deri më 18 tetor të atij viti, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, si person përgjegjës për komunitete në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet ligjore.

Sipas aktakuzës, përmes programit “Free Keylogger”, program ky i cili shërben për vjedhjen e fjalëkalimeve, merr fjalëkalimin e zyrtarit Gani Toska dhe po ashtu me kompjuterin e tij personal, përmes programit “Protaks”, hyn në sistem kompjuterit të zyrtares për tatim në pronë, Makfirjete Limani dhe arrin t’i shlyejë obligimet tatimore të dëshmitarëve Jahja Kelmendi, Enver Avdyli, Arben Kelmendi, Naser Belegu, Vesel Morina, Rakibe Kelmendi, Atdhe Kelmendi dhe Valdet Berisha.

Aktakuza e ngarkonte se me këto veprime i kishte shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në shumë prej 18 mijë e 275 euro e 98 centë.

Kurse, në aktakuzë thuhet se në fillim të muajit qershor 2016, nga dëshmitari Besim Gashi kishte marrë shumën e të hollave prej 170 euro për të shlyer obligimin e tij tatimor.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, për të cilin parashihet dënimi prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/