Qindra shpërthime të fuqishme kanë ndodhur në zonën e Zaporizhias gjatë natës së kaluar. Kjo gjë ka alarmuar ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të cilët ndodhen në këtë central bërthamor.
Ata kanë njoftuar për dëmtimin e ndërtesave, sistemeve dhe pajisjeve të ndryshme, por kanë siguruar që asnjëra nga dëmtimet nuk është në një nivel kritik për sigurinë bërthamore.
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike Rafael Grossi ka kërkuar që të arrihet sa më parë një marrëveshje për të krijuar një zonë sigurie dhe mbrojtje bërthamore rreth centralit sa më parë që të jetë e mundur.
Ndërkohë zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka regjistruar rreth 8311 humbje jetësh ndër civilë, ndër të cilët 437 fëmijë, që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. Civilët të cilët kanë mbetur të plagosur janë rreth 11 mijë. Sipas këtyre burimeve, numri në të vërtetë mund të jetë shumë herë më i lartë.
Në një intervistë për Sky News zëvendësministri i mbrojtjes i Ukrainës Volodimir Havrilov është shprehur që Lufta në Ukrainë do të përfundojë në fund të pranverës së ardhshme. Vetë presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenksi tha gjatë ditës së sotme që Rusia po kërkon një armëpushim të shkurtër, por ky propozim është hedhur poshtë pasi iu mundëson trupave të Moskës që të ri-organizohen.
Gjatë vizitës së tij të parë në Ukraine, kryeministri i ri britanik Rishi Sunak, ka njoftuar edhe një paketë të re ndihmash ushtarake për Ukrainën të cilat arrijnë në vlerën 50 milionë paund. Ai ka siguruar presidentin Zelensky që Britania do të qëndrojë në krah të Ukrainës derisa ajo të ketë siguruar paqen dhe sigurinë për të cilën ka nevojë dhe e meriton.
Po ashtu dhe ministrja e mbrojtjes spanjolle Margarita Robles ka njoftuar dërgimin e armatimeve të reja në Kiev gjatë javës së ardhshme./abcnews.al/