Zyrtarë të Presidencës, të Qeverisë e të Kuvendit nuk mund të llogarisin që në shtator të udhëtojnë masivisht në New York, kur mbahet sesioni i 75-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Formati ndryshe i organizimit të Asamblesë këtë vit nuk do të pranojë delegacione.
Paralajmërimin për këtë e ka dhënë Tijjani Muhammed-Bande, president i Asamblesë së Përgjithshme, në një shkresë që mban datën 18 maj, e që i është përcjellë edhe ambasadorëve të akredituar në New York, raporton Koha.
Gazeta e ka siguruar një kopje të letrës, në të cilën janë treguar arsyet për ndryshimin e formatit. Në të është thënë se, ndonëse shtatori është akoma disa muaj larg, komuniteti shëndetësor parashikon që pandemia COVID-19 të vazhdojë të ciklohet me shkallë të ndryshme të ashpërsisë. Aty është theksuar se pritjet janë që kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit të mbeten në fuqi për disa destinacione dhe se edhe karantinat mund të ndikojnë në udhëtarët drejt dhe nga New Yorku.
“Në dritën e sa më sipër, nuk ka shumë të ngjarë që krerët e shteteve dhe qeveritë nga të gjitha shtetet anëtare do të jenë në gjendje të udhëtojnë në New York, në shtator”, thuhet në letër. “Për më tepër, masat e distancës sociale ka të ngjarë të qëndrojnë në vend për muajt e ardhshëm. Është, gjithashtu, e mundshme që kufizimet për tubime të mëdha do të vazhdojnë”.
Virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë e shekullit, deri tash ka infektuar mbi 5 milionë njerëz gjithandej globit dhe ka marrë mbi 330 mijë jetë. Në Kosovë janë rreth 1 mijë të infektuar e 30 të vdekur. Për ta parandaluar përhapjen, kufijtë janë mbyllur prej më shumë se dy muajsh dhe janë ndërmarrë masa restriktive që lidhen me qarkullimin. /Gazeta Sinjali/