Zyrtarët më të lartë kushtetues të Çekisë, refuzua të enjten mbrëma propozimin e presidentit Millosh Zeman për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti çek tha më 11 shtator në Beograd se do të diskutojë me ekspertët kushtetues të vendit të tij, mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, një veprim që nuk përkon me postin kryesisht ceremonial të tij.
Ai e shtroi këtë çështje në një takim të zyrtarëve më të lartë kushtetues në mesin e të cilëve janë presidenti, kryeministri, kryetarja e dhomave të parlamentit, ministri i jashtëm, ai i brendshëm dhe i mbrojtjes.
Ministri i Jashtëm çek, Tomáš Petříček, tha se ishte përfundim i takimit që qëndrimi i Republikës Çeke kundrejt Kosovës, nuk ka ndryshuar.
Deklaratat e bëra në Beograd nga presidenti 74 vjeçar, që është i njohur për qëndrime kundërthënëse, kishin nxitur reagime në Çeki, ku idetë e tilla ishin cilësuar joreale.
Çekia e ka njohur Kosovën në maj të vitit 2008. Pavarësia e Kosovës e shpallur në shkurt të atij viti, vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në përpjekje për të nxitur tërheqjen e njohjeve për Kosovën.
Aspiratat e të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë të kushtëzuara me një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh ndërmjet tyre dhe së fundmi administrata amerikane është angazhuar për ripërtëritjen e procesit te bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve./VoA