Migjen Basha, me 3 gola dhe 33 ndeshje në përfaqësuesen e Shqipërisë, në moshën 34-vjeçare është pensionuar.
Mesfushori i lindur dhe i formuar si futbollist në Zvicër, por që iu kthye ngjyrat kombëtares kuq e zi, i jep fund karrierës si futbollist, shkruan Sinjali Sporti.
Nëpërmjet një postimi emocional në rrjetet sociale Basha ka falënderuar të gjithë ata që mbështetën në rrugëtimin e tij të gjatë dhe të bukur në futboll.
“Erdhi momenti të kthesh faqe… Munda të jetoja ëndrrën time të fëmijërisë falë pasionit që më shoqëroi gjatë gjithë këtij udhëtimi që nisi në Zvicër dhe më çoi në Itali, Greqi, Australi dhe përsëri në sheshin e parë. Gjatë rrugës, me shumë dashuri dhe krenari mbrojta edhe ngjyrat e vendit tim. Dua të falënderoj këtu të gjithë ata njerëz që më pritën me krahë të hapur dhe më ndihmuan që të ndihem rehat. Inkurajimi nga familja ime, miqtë, mbështetësit, bashkëlojtarët, anëtarët e stafit dhe madje edhe kundërshtarët! Të gjithë ata disi më dhanë forcën për të luftuar në çdo top. Faleminderit të gjithëve për atë që më keni dhënë gjatë rrugës! Është koha për t’i dhënë lamtumirën karrierës sime.”
Basha u pajis me pasaportë shqiptare në verë të vitit 2012 ndërsa debutimi i tij me kuqezinjtë ndodhi në fitoren historike 0-1 në Norvegji.
Katër ditë më vonë, Basha shënoi golin e parë si kuqezi, në miqësoren me Lituaninë, e luajtur në “Niko Dovana”.
Migjen Basha është pjesë e plejadës së futbollistëve kuqezi që bëri realitet ëndrrën e madhe: pjesëmarrjen në “Euro 2016”.