image Zyra e Presidentit i përgjigjet Speciales, tregon se pse u rekomandua amandamentimi i Kushtetutës

Kosovë

Zyra e Presidentit i përgjigjet Speciales, tregon se pse u rekomandua amandamentimi i Kushtetutës

news image

Zyra e Presidentit i është përgjigjur deklaratës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, rreth kërkesës së tij për informacion lidhur me propozimin e amandamentimit të nenit 162 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga ana e Presidentit të Kosovës, më 24 gusht 2020.

Kjo zyrë ka arsyetuar këtë propozim, duke thënë se qëllimi i saj ka qenë sigurimi se ato amandamente nuk pakësojnë liritë dhe të drejtat që garantohen me Kapitullin II të Kushtetutës, para se amandamentet të vihen për aprovim në Kuvend.

“Përmes prononcimeve publike dhe më pas me shkresën e KSC-CC-2020-11 të pranuar në Zyrën e Presidentit më 08.10.2020 (Ref: 848/1) është kuptuar që Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, amendamentet e propozuara të Kushtetutës, më 18 shtator 2020 ia ka përcjellë Kryetares së Dhomës së Specializuar”, thuhet ndër të tjera në këtë shkresë, sipas së cilës, propozimi i amendamentimit të Nenit 162 është bërë pas një procesi të diskutimeve në Zyrën e Presidentit, ku është vlerësuar që Neni 162 [Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar] i Kushtetutës, gjegjësisht paragrafët 13 dhe 14 të këtij neni, kanë krijuar paqartësi në opinionin e gjerë kosovar lidhur me përfundimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Sipas formulimeve të paragrafëve 13  dhe 14  të Nenit 162 të Kushtetutës, në opinionin kosovar është shpërfaqur mendimi dhe përhapur bindja që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë në një periudhë më së shumti pesëvjeçare (5) nga koha e aprovimit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ka ngjallur jo rrallëherë reagime të shumta tek akterë të ndryshëm”, thuhet në sqarimet e Zyrës së Presidentit për Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë.

Andaj, në këtë sqarim, thuhet se presidenti ka rekomanduar që të bëhen amandamentet e propozuara të Nenit 162 të Kushtetutës, gjegjësisht që paragrafët 13 dhe 14 të riformulohen, në mënyrë që të shmangen këto paqartësi dhe të eliminohet çdo dilemë.

“Sipas amendamentit të propozuar, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Pra, amendamenti i propozuar është harmonizim i Nenit 162 me atë që është përcaktuar në Ligjin nr. 04/L-274 për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë”, thuhet në sqarimin e zyrës së presidentit.

Madje, ky proces, sipas kësaj zyrës së presidentit, është bërë në pajtim me Kushtetutën dhe duke marrë parasysh rastet paraprake.

“Çdo propozim i amendamenteve kushtetuese i adresohet Kuvendit, respektivisht Kryetarit të Kuvendit, i cili është i obliguar që çdo amendamentim ta adresojë për kontroll kushtetues në Gjykatën Kushtetuese, që paraprakisht të vlerësohet nëse amendamentet e propozuara nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, para se amendamenti të vihet për aprovim në Kuvend. Ndërsa, siç është përcaktuar në Nenin 144 (3) të Kushtetutës, amendamentet kushtetuese mund të miratohen nga Kuvendi vetëm pasi Kryetari i Kuvendit të Kosovës ta ketë adresuar amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës dhe pasi Gjykata Kushtetuese të vlerësojë që një amendament nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liri të përcaktuar në Kapitullin II të Kushtetutës”, thuhet në shkresën e Zyrës së Presidentit.

Ndërsa, sot gjatë ditës, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka akuzuar sërish presidentin Thaçi për “zhbërjen” e Gjykatës Speciale.

Sipas kësaj zyre, mandati i Gjykatës Speciale përcaktohet në Kushtetutën e Kosovës dhe çdo interpretim tjetër mund të ndikojë në dëmtimin e proceseve që aktualisht janë në zhvillim e sipër.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka dërguar një opinion në Dhomat e Posaçme të Kushtetueses, në të cilin ka cituar një deklaratë të Thaçit, duke nënkuptuar se ai po dëshiron ta konsiderojë si të skaduar mandatin e Speciales.

Këtij opinioni, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka cituar edhe deklaratën e presidentit Hashim Thaçi, dhënë më 24 gusht, në të cilën thuhet:

“Unë ende besoj se kjo tani e nxit Kuvendin e Republikës së Kosovës që të zgjasë mandatin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në një njoftim nga Këshilli i BE në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. për përfundimin e mandatit të kësaj gjykate.18 […] Na duhet të sqarojmë mënyrën se si Dhomat e Specializuara do të mbyllin punën e tyre, prandaj besoj se deputetët do të mbështesin iniciativën time”.

Opinioni i dërguar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar përbëhet nga 22 pika, ku ky institucion argumenton se si Thaçi po tenton ta zhbëjë Specialen.

Presidenti Hashim Thaçi i ishte drejtuar Kuvendit të Kosovës me një propozim për amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, që ndërlidhet me ligjin për Dhomat e Specializuara dhe mandatin e saj. Propozimi specifikonte që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Gjykata Kushtetuese në kuadër të Speciales u kishte dhënë afat palëve që deri më 19 tetor t’i dërgojnë opinionet e tyre lidhur me amandamentin e propozuar nga Thaçi./Gazeta Sinjali/