image Zyra e presidentes demanton lajmin se Vjosa Osmani ka pranuar letrën e ish-gjykatësit kryesor të EULEX-it

Kosovë

Zyra e presidentes demanton lajmin se Vjosa Osmani ka pranuar letrën e ish-gjykatësit kryesor të EULEX-it

news image

Zërat se kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka pranuar letrën të cilën e ka dërguar në Kuvend të Kosovës, ish-gjykatësi kryesor i EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili flet për shkeljet e rënda të kryera nga misioni për sundim të ligjit, në disa raste të profilit të lartë që janë trajtuar, i kanë mohuar nga zyra e presidentes për Gazetën Sinjali.

Menaxherja e Zyrës së Kryetares, Egnesa Vitia ka thënë për Gazetën Sinjali se kjo letër është drejtuar vetëm te komisioni për legjislacion.

“Ne kurrë s’kemi pranu këtë letër. Ka qenë e drejtuar vetëm te komisioni për legjislacion. Pra, shkruan qartë ne atë letër që i është drejtu vetëm komisionit për legjislacion”, tha ajo për Gazetën Sinjali.

Ndryshe, ish-presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ua ka nisur një letër deputetëve të Komisionit për Legjislacion me datë 16 korrik duke kërkuar që të raportojë lidhur me informacionet që ka për ndërhyrje në hetime, kërcënime të dëshmitarëve, manipulim të trupës gjykuese dhe jo vetëm.

Ai thekson se këto kanë ndodhur gjatë kohës sa ishte pjesë e EULEX-it.

Në këtë letër, po ashtu Simmons tregon për punën që e ka bërë në EULEX, emërimin e tij dhe thotë se gjatë mandatit të tij ka qenë i njoftuar për këto shkelje.

“Gjatë mandatit tim si kryetar i gjykatësve të EULEX-it, u njoftova me shkelje serioze, përfshirë komisionin për shkelje kriminale, nga personat përgjegjës për administrimin e drejtësisë”, thotë ai.

Simmons shprehet i gatshëm të japë dëshmi për këto çështje derisa përmend disa shkelje që kanë ndodhur, sipas tij, si: ndërhyrje në hetime, kërcënime të dëshmitarëve të mbrojtur, përpjekje për të manipuluar trupat gjykuese, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime, fshehje e provave, manipulim i provave, përpjekje për të penguar hetime etj.

Ai thotë se është i gatshëm të deklarohet para Parlamentit të Kosovës për të gjitha çështjet që flet në letër, duke thënë se ka edhe prova. Ai thotë gjithashtu se është i gatshëm të japë edhe dëshminë e tij.

Në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit është diskutuar sot shkresa e dërguar në Kuvend të Kosovës nga Malcolm Simmons.

Në këtë mbledhje, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka kërkuar që të votohet që Simmons të thirret për intervistë para komisionit.

Kurse e pajtimit nuk ishte LDK-ja, pasi kryetari i këtij komisioni, Shkëmb Manaj, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështet dëshminë e Simmons, por pavarësisht këtij qëndrimi, ky propozim ka kaluar me shumicë të votave.

/Gazeta Sinjali/