Sot, në mediat e Kosovës dhe ato të Serbisë u publikua një letër e cila mban nënshkrimin e të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak dhe është e destinuar për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo letër ishte një shenjë proteste për refuzimin që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës i bëri kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një vizitë në Kosovë, së bashku me Vulinin, Gjuriqin e Petkoviqin.
Në këtë letër të publikuar në media, Lajçak ia ka përmendur Hotit Marrëveshjen e Lirisë së Lëvizjes dhe atë të Vizave, të cilat në tërësinë e tyre, përfaqësojnë angazhimet e dialogut që duhet të respektohen nga të dyja palët e përfshira në dialog.
“Siç përcaktohet në Marrëveshjen e Lirisë së Lëvizjes, individët e secilës palë janë në gjendje të udhëtojnë lirisht në territorin e tjetrit. Rregullat specifike zbatohen për personat e secilës palë që mbajnë funksione publike, siç përcaktohet në Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare. Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare, dhe amendamenti i tyre që është një pjesë integrale e kësaj Marrëveshjeje sigurojnë trajtimin dhe ekzekutimin e rregullt të vizitave zyrtare. Këto rregulla, së bashku me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes kanë rezultuar shumë të dobishme, dhe ato përbëjnë një arritje në punën midis jush dhe Beogradit, e cila duhet të ruhet”, thuhet në letrën e Lajçakut.
Por, nga Zyra e Kryeministrit Hotit nuk e kanë konfirmuar pranimin e kësaj letre.
“Momentalisht, nuk mund ta konfirmoj se ka mbërri një letër e tillë, derisa nuk mund të konfirmoj që letra ka mbërri, nuk mund të konfirmoj asgjë. Ajo që ka dalë në media është letër, por që është letër e paprotokolluar, kështu që nuk mund të them asgjë. Nuk mund të konfirmoj që ajo letër ka mbërri në zyrë, gjatë ditës mund të ndodhë që edhe të mbërrijë diçka, por njëherë për njëherë nuk mund të konfirmoj se ka mbërri ajo letër”, tha Antigona Baxhaku, drejtoresha e Zyrës së Mediave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit./Gazeta Sinjali/