Kryeministri Avdullah Hoti dje ka njoftuar se është infektuar me koronavirus. Ndërkaq sot, Zyra e Kryeministrit ka theksuar se Hoti do t’i kryejë obligimet online, nga shtëpia.
“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, me sugjerimin e mjekëve, dje pasdite e ka bërë testin për COVID- 19. Porsa ka marrë rezultatin, ai është vetizoluar dhe do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e tij nga shtëpia, online”, thuhet në njoftim.
ZKM ka njoftuar se stafi i Zyrës së Kryeministrit do t’u përmbahet protokolleve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ndërsa thuhet se agjenda e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet dhe se Hoti do ta koordinojë punën nga shtëpia, duke u konsultuar me zëvendëskryeministrat.
“Stafi i Zyrës së Kryeministrit do t’u përmbahet protokollove të sugjeruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ndërkohë, agjenda e punës e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet. Kryeministri Hoti do ta koordinojë punën nga shtëpia në konsultim me zëvendëskryeministrat”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. /Gazeta Sinjali