Në Zvicër, nga mërgimtarët shqiptarë, do të organizohet Kuvend historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për ta finalizuar themelimin e “LShPMBZ” i cili ka kaluar përmes një procesi të gjatë diskutimesh e konsultimesh të përbashkëta vëllazërore.
Sipas tyre, 30 tetori 2021 është një datë e bekuar pasi fal angazhimit të përbashkët, po krijojnë ”Lidhjen e Shoqatave të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit” që veprojnë në Zvicër, një akt madhor e atdhetarë i organizimit të shqiptarëve të kësaj treve.
Kjo Lidhje ka si qëllim bashkimin e të gjithë shoqatave në Zvicër, bashkërendimin e veprimtarive tona në funksion të forcimit të lidhjeve me vendlindjen, duke promovuar ruajtjen e gjuhës, traditave kulturës e historisë sonë.
“Mbështetja e komuniteteve të origjinës në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë do të jetë më e studiuar, e bashkërenduar dhe e mirë koordinuar në mënyrë që me forca të bashkuara të japim një impakt pozitiv në jetën e bashkëqytetarëve tanë. Në këtë mënyrë mendojmë që të veprojmë edhe këtu në Zvicër, në këtë shtet i cili gjithmonë na ka përkrahur e ndihmuar në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të shkëlqyera shqiptare, duke na lehtësuar edhe integrimin tonë, dhe duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet tona, të cilat nuk na mungojnë, do vijojmë të nxisim ruajtjen e gjuhës, që fëmijët tanë të ndjekin shkollat e mësimit të gjuhës shqipe, të mësojnë historinë e shqiptarëve, kulturën, traditat e doket tona”.
“Zotohemi se si Mërgatë dhe si Lidhje e unifikuar, me metoda demokratike do të vazhdojmë t’i mbështesim e përkrahim pa rezervë vëllezërit e motrat tona kudo, në veçanti në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në mbrojtjen e identitetit dhe integritetit të tyre. Ndaj ndihma e përkrahja e jonë do të jenë edhe në fusha të tjera, që do i vendosim si prioritete të kësaj Lidhje”, shkruajnë organizatorët e kësaj nisme./GazetaSinjali/