Rrethi kryesor në dalje të Lakrishtës që lidhet me rrugën për në Fushë Kosovë ka mbetur ende i papërfunduar.
Kështu dukej sot rruga “Hekurudha” e cila lidhet me rreth rrotullimin kryesor për në Fushë Kosovë.
Ky segment ende nuk është lëshuar për qarkullim të automjeteve, ndonëse punimet për ndërtimin e kësaj korsie, duket se kanë përfunduar.
Pengesat e vendosura në hyrje të rrugës që lidhet me rrethrrotullim po qëndrojnë prej kohësh aty.
Punëtorët e kompanisë së ndërtimit shfaqen rrallë në këtë pjesë ndërkohë që koha e përurimit të rrugës po zvarritet, në pikun e sezonit kur është rritur numri i veturave në qarkullimin rrugor.
Paralelisht me këtë segment siç duket në foto, ka filluar të ndërtohet edhe një korsi që lidhet me lagjen Arbëria.
E kontaktuar nga Sinjali, për tu njoftuar në detaje lidhur me këtë projekt, zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, nuk është përgjigjur në telefon.
Më 23 prill të këtij viti, komuna e Prishtinës kishte rrënuar ish objektin e Doganës së Kosovës, me qëllim të krimit të parakushteve për realizimin e këtij projekti. Përurimi i kësaj rruge do të lehtësonte qarkullimin brenda Prishtinës, me ç’rast do të shkarkohej qendra e qytetit.
Gjatë këtij sezoni është rritur fluksi i veturave në trafik, gjë që e ka vështirësuar qarkullimin normal të veturave nëpër rrugët e kryeqytetit./Sinjali/