Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gani Dreshaj, ka thënë se ka kontaktuar në Berlin, për të kërkuar reagimin e tyre për lirimin e dy shqiptarëve që u arrestuan të shtunën nga policia serbe në Merdar, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kam kontaktuar personalisht me Berlinin dhe nesër do të marrë zonja von der Leyen lajmin për me i lëshu djemtë sa ma shpejtë. Në këto kontakte u tha që nuk duhet të bëjmë patriotizma se është gabim. Nesër do të marr informata ma të drejtpërdrejta”, tha Dreshaj.
Për lirimin e tyre, Dreshaj thotë se janë në koordinim me Zyrën e Kryeministrit që të bëhet gjithçka që është e mundur.
“Ministria e Punëve të Jashtme në koordinim me kryeministrin janë duke bërë çdo gjë të mundshme për sa më shpejtë lirimin e këtyre djemve që pafajësisht janë kapë jashtë kufirit”, ka shtuar ai duke potencuar se sjellje të tilla nuk i bëjnë mirë Serbisë sa i përket fqinjësisë dhe rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme thotë se ka informacione se ata janë dërguar në paraburgim gjatë ditës së djeshme dhe tha se Berlini zyrtar është informuar për këtë gjë personalisht prej tij, kryeministrit dhe ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.
Dreshaj tha se raste të ngjashme ndodhin edhe në kufijtë tjerë në botë, ndonëse e pranoi se kohëve të fundit ato janë shpeshtuar nga Serbia.
“Mundem me premtu që kryeministri dhe ministrja Haradinaj kanë njoftu çdo njeri të mundshëm që raste të tilla të mos ndodhin më. Mendoj që ne i kemi të gjitha informatat, por për familjen e tyre dhe për djemtë që janë në duar të ushtrisë të Serbisë, tash të policisë, nuk kisha pasë dëshirë me u prononcu”, tha ai në Klan Kosova, përcjell Gazeta Sinjali.
Sipas Dreshajt, ministrja Haradinaj-Stublla ka qenë në kontakt me familjet e dy djemve, për të cilët ai thotë se nuk kanë pasur qëllim të keq me hyrjen e tyre në kufirin serb.
“Shpresoj që shumë shpejtë do të merren masa dhe do të vijnë djemtë në shtëpi. Mendoj që edhe Bashkësia Ndërkombëtare duhet t’u thotë njëherë e përgjithmonë jo provokimeve të Serbisë”./Gazeta Sinjali/