Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve Agim Krasniqi, ka thënë se Kosova do të përballet me vështirësi financiare muajve në vazhdim.
Ai bëri të ditur se 80 deri 85 për qind e buxhetit është i kontraktuar dhe se do të ketë më pak të hyra buxhetore.
Nga vlerësimi i kësaj gjendje për dy muaj e gjysmë do të ketë më pak të hyra për 200 milionë.
Për vitin 2020 nuk do të ketë projekte të reja, kurse do të duhen edhe 400 milionë euro për të mbuluar këto humbje.
“Krahas këtyre alokimeve shtesë ne kemi një vlerësim të parë të cilin duhet ta përcjellim rregullisht është që brenda një periudhe dy muaj apo dy muaj e gjysmë, për shkak të gjendjes së krijuar do të kemi edhe më pak të hyra buxhetore diku rreth 200 milionë. Prej një vlerësimi afërsisht dy mujorë ne do të kemi nevojë për 400 milionë që t’i mbulojmë edhe të hyrat edhe shpenzimet”, tha Krasniqi.
Tutje, ai theksoi se të gjitha obligimet ligjore financiare që i ka Qeveria, siç janë pagat dhe kontratat do të kryhen dhe nuk do të ketë vështirësi në këtë aspekt.
“Ne të gjitha obligimet ligjore do ti kryejmë si qeveri, për paga që duhet të paguhen prej buxhetit të shtetit për skemat që duhet të paguhen dhe do ti kryejmë të gjitha obligimet dhe kontratat të cilat veq kanë filluar, këto janë obligime kontraktuale. Një pjesë e këtij 400 milionëshi edhe të mbulimit të humbjeve që vjen për shkak të të hyrave dhe për shkak të masave do të vjen si pjesë e këtyre kursimeve, të mos fillohen projekte të reja, një pjesë prej donacioneve dhe kredimarrjes që e merr qeveria dhe një pjesë duhet të shikohet prej emetimit të letrave shtesë me vlerë”, deklaroi ai.
Numri dy i MFT-së theksoi se nëse do të ketë nevojë për intervenime shtesë do të detyrohen të marrin masa më drastike, si dhe një rishikim i buxhetit për vitin 2020, raporton EO.
“Në rast se kemi nevojë për intervenime shtesë atëherë duhet rishikuar komplet buxheti për vitin 2020 dhe ndoshta do të jemi të detyruar të marrim edhe masa më drastike në kuptim të kursimeve në buxhetin aktual”, përfundoi Krasniqi.