Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Albulena Balaj – Halimaj, ka kërkuar nga homologu i saj shqiptar, Erion Braçe, pezullimin e taksës në “Rrugën e Kombit” për qytetarët e Kosovës, deri më 15 shtator, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë këtij takimi, Balaj – Halimaj, thotë se ka kërkuar po ashtu që gjatë këtij muajit të eliminiohen të gjitha barrierat e tjera të cilat, thotë se, po pamundësojnë jetësimin e plotë të marrëveshjeve ekonomike mes dy shteteve.
“Në këtë takim kam kërkuar nga zv/kryeministri Braçe që Qeveria Shqiptare t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë për pezullimin e taksës në Rrugën e Kombit për të gjithë qytetarët e Kosovës deri më 15 shtator. Po ashtu, kam kërkuar që brenda këtij muaji të eliminohen të gjitha barrierat që po pamundësojnë jetësimin e plotë të marrëveshjeve të arritura më herët siç është pika doganore e Kosovës në Durrës, unifikimi i kodit doganor, njohja e dokumentacioneve reciproke për eksport dhe import, si dhe kërkesën e Odës së Farmacistëve të Kosovës për listën e çmimeve të barnave esenciale”, ka shkruar ajo në Facebook.
Zëvendëskryeministrja thotë se nga Braçe ka marrë zotimin se çështja e taksës në “Rrugën e Kombit” do të ngritet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Shqipërisë.
“Unë me kënaqësi do t’i vazhdoj projektet e nisura në kohën e koordinatorit kombëtar të dy qeverive, Fatmir Limaj dhe gjithë përkushtimi im do të jetë në funksion të jetësimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët dhe marrëveshjeve të reja mes dy vendeve që për qëllim kanë lehtësimin e jetës së qytetarëve andej e këndej kufirit”, ka shkruar ajo.
Në takimin mes zv/kryeministres së Kosovës dhe zv/kryeministrit të Shqipërisë u diskutua edhe rreth organizimit të mbledhjes së dy qeverive e cila pritet të mbahet në muajin shtator në Shkodër./Gazeta Sinjali/