Zoran Zaev mëngjesin e sotëm ka bërë të ditur se ka firmosur dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe se pret nga Kuvendi ta konstatojë atë sa më shpejt të jetë e mundur për t’i hapur në këtë mënyrë rrugën qeverisë teknike.
Nga ana tjetër, Kuvendi deri në mesnatë duhet të votojë edhe Qeverinë teknike të kryesuar nga ish-ministri i Brendshëm Oliver Spasovski.
“Këtë mëngjes në orën 8.30 ishim në Qeveri. Nënshkrova dorëheqjen time, në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës dhe në bazë të Ligjit për Qeverinë. Besoj se dokumenti do të arrijë në Parlament shumë shpejt, në mënyrë që procedura të fillojë gjatë ditës për të mundësuar miratimin e qeverisë teknike”, tha Zaev.
Ndërsa dje VMRO -DPMNE-ja doli me kandidat të ri për ministër teknik të Punëve të Brendshme pas mos pëlqimit të LSDM-së për kandidatin e parë, Dragan Kovaçkin. Bëhet fjalë për Naqe Çulev, i punësuar në Agjencinë për Zbulim, propozim ky i pranueshëm për LSDM-në dhe BDI-në.
“Me këtë propozim të VMRO-DPMNE-së nuk shkelet Kushtetuta, pasi nuk bëhet fjalë për person ushtarak dhe të uniformuar dhe nuk është nën hetim. Me këtë plotësohen kushtet që propozimi të shkojë në votim në Kuvend, bashkë me Qeverinë teknike, e cila duhet t’i realizojë zgjedhjet e 12 prillit”, thanë nga LSDM.