image Zjarrfikësit pas vendimit të qeverisë për mësimdhënësit: Jemi të diskriminuar dhe të anashkaluar

Kosovë

Zjarrfikësit pas vendimit të qeverisë për mësimdhënësit: Jemi të diskriminuar dhe të anashkaluar

news image

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka reaguar pas vendimit të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, për ndarjen e pagave shtesë për mësimdhënësit, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo sindikatë u shpreh se nga ky vendim ata ndihen të diskriminuar dhe të anashkaluar nga Qeveria e Kosovës.

“Sot zjarrfikësit edhe një herë u zhgënjyen nga Qeveria, me ndarjen e mjeteve për punëtorët e arsimit me mjete shtesë në pagë, veprim selektiv dhe diskriminues i papranueshëm, zjarrfikësit janë të përjashtuar nga pakoja emergjente, zjarrfikësit ballafaqohen me një mori probleme, pa kushte themelore për punë, pa status të zgjedhur, zjarrfikësve nuk ju kompensohen as obligimet ligjore të cilat janë obligim i punëdhënësit sipas kontratës së punës, siç janë ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe fetare, orët jashtë orarit, zjarrfikësit nuk kanë përkujdesje institucionale, në vend që zjarrfikësit të shpërblehen për angazhimet e tyre në situata të rrezikshme dhe mjaft sfiduese, sot edhe një herë institucionet e vendit dëshpëruan dhe vazhduan diskriminimin ndaj zjarrfikësve të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Po ashtu, zjarrfikësit kërkuan një takim urgjent me Hotin, duke shtuar se presin përgjigje deri më 25 janar dhe nëse kjo nuk ndodh do të organizojnë protestë para Qeverisë se Kosovës.

“Apelojmë që urgjentisht të na pranoni në takim ku do të diskutonim për kërkesat e zjarrfikësve dhe të analizoni gjendjen e krijuar dhe të veproni drejt sipas obligimeve ligjore që keni dhe parimit të drejtësisë dhe barazisë dhe jo vendime selektive dhe diskriminuese. Përndryshe nëse nuk pranojmë përgjigjeje deri me dt. 25.01.2021 zjarrfikësit do të ndërmarrin veprime sindikale dhe do të organizojnë protestë para Qeverisë së Kosovës, zjarrfikësit e kanë humbur durimin dhe shpresën për të realizuar të drejtat që ju takojnë me ligj”, thuhet ndër të tjera në komunikatë./Gazeta Sinjali/